Ish-ministri dhe një nga figurat kryesore politike shqiptare në vend, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj miratimit të të ashtuquajturit ligj për përfaqësim të drejtë, duke e cilësuar atë si një “tradhti të nivelit të lartë” ndaj shqiptarëve.
Në një deklaratë publike, Osmani theksoi se, duke u mbështetur në përvojën e tij politike dhe pa asnjë kalkulim partiak, ky ligj përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj përpjekjeve shumëvjeçare të shqiptarëve për të siguruar një pozitë të dinjitetshme në institucionet shtetërore.
“Ky nuk është një hap përpara, por një kthim mbrapa. Breza të tërë kanë kontribuar dhe sakrifikuar për përfaqësim të drejtë, ndërsa sot po përballemi me një zgjidhje që e cenon thelbin e kësaj përpjekjeje,” është shprehur Osmani.
Ai shtoi se ligji, i paraqitur si reformë, në realitet rrezikon të dobësojë mekanizmat ekzistues që garantojnë barazinë dhe përfshirjen e shqiptarëve në administratë dhe institucione publike.
