Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar se zbatimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka luajtur rol të rëndësishëm në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Duke folur në konferencën e mbajtur në Shkup më 24 dhe 25 shtator, në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Pendarovski tha se vendi e fitoi statusin kandidat për anëtarësim në BE kryesisht falë zbatimit të suksesshëm të kësaj marrëveshjeje.
“E morëm statusin kandidat për anëtarësim në BE kryesisht për shkak të zbatimit të suksesshëm të Marrëveshjes së Ohrit. Por ky fakt nuk është vlerësuar sa duhet nga maqedonasit”, deklaroi Pendarovski.
Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit vazhdon të shihet ndryshe nga komunitetet në vend. Pendarovski theksoi se maqedonasit dhe shqiptarët kanë ende këndvështrime të ndryshme për rëndësinë dhe efektet e marrëveshjes, ndërsa çështjet strategjike për të ardhmen e shtetit, sipas tij, duhet të diskutohen dhe të dakordohen nga të dyja komunitetet.
Maqedonia e atëhershme aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2004, ndërsa Këshilli i BE-së i dha statusin kandidat më 17 dhjetor 2005. Burime dhe analiza të mëhershme evropiane e kanë lidhur përparimin e vendit pas vitit 2001 me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.
Deklarata e Pendarovskit rikthen në vëmendje rolin e Marrëveshjes së Ohrit jo vetëm në stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike pas konfliktit të vitit 2001, por edhe në procesin e integrimit evropian të vendit.
