Një nga premtimet më të bujshme të VLEN-it gjatë fushatës zgjedhore ishte themelimi i një Banke Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në materialet programore të koalicionit thuhej qartë se brenda mandatit do të angazhoheshin për krijimin e kushteve për themelimin e bankave me kapital dominues shqiptar, me synimin për të zvogëluar diskriminimin financiar ndaj shqiptarëve dhe për të mbështetur bizneset shqiptare në vend.
Por, dy vite pas ardhjes në pushtet, realiteti duket krejt ndryshe nga premtimet e bëra. Banka Shqiptare e paralajmëruar nuk ekziston, nuk është prezantuar asnjë projekt konkret dhe nuk është ndërmarrë asnjë hap i dukshëm drejt realizimit të këtij zotimi.
Në vend të kësaj, në tregun bankar po hyn Alta Banka, një bankë me origjinë nga Serbia. Kjo ka nxitur reagime dhe kritika në opinion, pasi shumë qytetarë kujtojnë premtimet e VLEN-it për krijimin e një institucioni financiar që do të përfaqësonte interesat ekonomike të shqiptarëve në vend.
Në posterët zgjedhorë flitej për “Bankën Shqiptare” si një mekanizëm që do të ndihmonte bizneset shqiptare dhe do të krijonte mundësi më të mëdha financimi. Sot, pas dy vitesh qeverisje, ky premtim mbetet vetëm në letër, ndërsa rezultatet konkrete mungojnë.
Për kritikët, ky është një tjetër shembull i diferencës mes asaj që u premtua para zgjedhjeve dhe asaj që u realizua në praktikë. Ata vlerësojnë se VLEN duhet të japë përgjigje se çfarë ndodhi me projektin e Bankës Shqiptare dhe pse një nga zotimet më të mëdha ekonomike të fushatës nuk u bë realitet.
Dy vite më vonë, pyetja mbetet e njëjtë: Ku është Banka Shqiptare që premtoi VLEN?
