Qytetarët në rrezik, autoritetet reagojnë – Gjorgjievski: Nuk do të tolerohet më

Shkup, 3 maj – Kalimi ilegal në zonën e Bit-Pazarit pritet të mbyllet përfundimisht, pasi autoritetet kanë paralajmëruar vendosjen e kangjellave për të parandaluar përdorimin e tij. Kreu i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, bëri të ditur se vendimi do të zbatohet pavarësisht kërkesave të disa qytetarëve për legalizimin e këtij vendkalimi.

Sipas tij, fillimisht do të largohen të gjitha objektet ilegale në atë zonë, ndërsa më pas do të ndërmerren masa konkrete për mbylljen e kalimit, me arsyetimin se paraqet rrezik serioz për këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve.

“Do të largohen të gjitha objektet ilegale që ndodhen atje dhe më pas do të mbyllet vendkalimi ilegal. Ka pasur kërkesa për legalizim, por ne jemi kategorikë – për shkak të sigurisë së qytetarëve dhe të trafikut, ai duhet të mbyllet,” deklaroi Gjorgjievski.

Nga ana tjetër, qytetarët mbeten të ndarë për këtë çështje. Disa kërkojnë që vendkalimi të mos mbyllet, duke propozuar vendosjen e semaforëve si zgjidhje më praktike, sidomos për të moshuarit që e kanë të vështirë të përdorin mbikalimin. Të tjerë, megjithatë, mbështesin mbylljen dhe përdorimin e urës ekzistuese si alternativë më të sigurt.

Aktualisht, mbikalimi pranë vendkalimit ilegal është i mbyllur dhe ende nuk dihet nëse do të rikthehet në funksion pas mbylljes së kalimit në nivel rruge. Ndërkohë, kjo pikë është konsideruar prej kohësh si një zonë e rrezikshme, ku janë regjistruar disa aksidente, përfshirë edhe raste me pasoja fatale.

Back To Top