Një debat i ri politik është hapur lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe, pasi Selimi i është kundërpërgjigjur deklaratave të Qokut duke theksuar se një e drejtë kushtetuese nuk ka nevojë për “zgjidhje”, por për zbatim të plotë.
Sipas Selimit, çdo e drejtë që është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligj duhet të zbatohet në praktikë dhe jo të përdoret si temë për arsyetime politike. Ai thekson se gjuha shqipe është tashmë gjuhë zyrtare, e garantuar me Amendamentin V të Kushtetutës dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, prandaj sipas tij nuk ka nevojë për premtime të reja për “zyrtarizim”.
“De jure dhe de facto gjuha shqipe është gjuhë zyrtare. Nuk ka nevojë që z. Qoku të premtojë zyrtarizim, sepse këtë e garanton Kushtetuta dhe ligji. Ai thjesht duhet t’ia kërkojë shefit që ta zbatojë ligjin, qoftë edhe pesë apo gjashtë herë”, thekson Selimi.
Në reagimin e tij, Selimi përmend edhe ndryshimet në Kodin Penal, duke thënë se rreth 80 zyrtarë të VMRO-DPMNE-së, ish-funksionarë dhe funksionarë aktualë, përfshirë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Qeverisë, përfituan nga këto ndryshime më shumë se nga çdo parti tjetër.
Sipas tij, kjo temë nuk përmendet nga Qoku për shkak të presioneve politike nga brenda qeverisë. Selimi shton se në vend të arsyetimeve dhe polemikave politike, Qoku mund ta kishte ruajtur më lehtë kredibilitetin me një qëndrim të qartë në mbështetje të studentëve.
“I dëgjuam studentët dhe qëndrojmë me ta”, do të kishte qenë një fjali e mjaftueshme, thekson Selimi, duke shtuar se më pas mund të hapej debati për përgjegjësinë politike të partive që kanë qeverisur për vite me radhë.
