Yll Rrustemi, nga Lidhja Demokratike i cili publikisht vuri në pikëpyetje mbështetjen e studentëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për protestat në Shqipëri, u përball me kundërpërgjigjen e dy prej figurave të lëvizjes studentore shqiptare nga RMV. Mevlan Ademi dhe Suhejb Memedi ia kthyen debatin në një drejtim tjetër: nga akuzat për mungesë solidariteti te gatishmëria për të qenë fizikisht pranë kolegëve në Tiranë.
Thirrja e Yll Rrustemit për solidaritet të ndërsjellë mes studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe atyre në Shqipëri mori një kthesë të papritur, pasi dy prej përfaqësuesve të lëvizjes studentore shqiptare reaguan publikisht, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm argumentin e tij, por edhe mënyrën se si ai e koncepton solidaritetin studentor.
Militanti i VLEN-it dhe Izet Mexhitit, Rrustemi ngriti pyetjen se përse studentët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut nuk po tregojnë të njëjtën përkrahje për studentët që protestojnë në Shqipëri. Ai argumentoi se, pasi studentët nga Shqipëria kishin mbështetur kauzën e tyre për të drejtat gjuhësore, tashmë kishte ardhur radha që kjo mbështetje të ishte e ndërsjellë.
Por përgjigjet e Mevlan Ademit dhe Suhejb Memedit e zhvendosën debatin nga retorika publike te veprimi konkret.
“Unë në Tiranë jam yll, ku je ti? Përkrahje tastature ka mjaft!”, shkroi Mevlan Ademi, me një kundërpërgjigje ironike.
Ndërkaq, Suhejb Memedi zgjodhi një përgjigje më të drejtpërdrejtë: “Ylli, të presim në Tiranë, koleg! Që të gjithë së bashku t’i ndihmojmë kolegët tanë nga Shqipëria. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me organizatorët.”
