Shkup – Çair
Një histori që po qarkullon në Çair po ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si përdoren njerëzit në funksion të pazareve politike dhe më pas lihen në baltë.
Sipas burimeve nga brenda strukturave lokale, tashmë ish-drejtoresha e një çerdheje në Çair, Narel Salih – e njohur si kuadër i afërt me LSDM – ishte vendosur në qendër të një marrëveshjeje politike gjatë periudhës së zgjedhjeve lokale. Marrëveshja, sipas këtyre burimeve, ishte e qartë: angazhim maksimal në terren në këmbim të vazhdimit në detyrë.
Ajo, thuhet më tej, e përmbushi pjesën e saj. U angazhua gjatë fushatës, punoi në mobilizimin e votuesve dhe kontribuoi në rezultatet në terren.
Por menjëherë pas zgjedhjeve, situata mori një kthesë të papritur.
Të njëjtat burime pretendojnë se ndaj saj u aktivizua një procedurë, me dyshime për diplomë të pavlefshme. Rasti përfundoi në polici, pati ndërhyrje edhe në banesën e saj dhe më pas u inicua procedurë nga organet e ndjekjes. Nën këtë presion, Salih u detyrua të japë dorëheqje.
Pas largimit të saj, në këtë pozitë është emëruar Imrzat Avdi – një lëvizje që, sipas zërave kritikë, lidhet drejtpërdrejt me marrëveshjet politike në prapaskenë dhe balancat e reja të pushtetit në Çair.
Pretendimet shkojnë edhe më tej: sipas burimeve, kuadrot që siguruan rezultat zgjedhor për Mexhitin në Çair po shpërblehen me pozita, ndërsa ata që u përdorën gjatë fushatës, po largohen përmes presioneve institucionale.
Deri më tani, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Komuna e Çairit lidhur me këto zhvillime dhe pretendime.
Rasti ka hapur një debat më të gjerë për mënyrën se si ndërtohen dhe çmontohen karrierat në institucionet publike, si dhe nëse procedurat ligjore po përdoren në mënyrë selektive në funksion të interesave politike.
Në Çair, pyetja që po shtrohet gjithnjë e më shpesh është e drejtpërdrejtë:
A po i keqpërdor dhe më pas i “djeg” Mexhiti njerëzit që i kanë ndihmuar të vijë në pushtet?
