SHQIPTARËT VIKTIMË E KONTESTIT BULLGARO-MAQEDONASË!!!?
E ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut dhe çështja e anëtarësimit real në Bashkimin Evropian, në kontekstin e konfliktit mes dy vendeve, varet kryekëput nga rezultati i bisedimeve, ose, më mirë të themi, nga rezultatet e komisioneve të përbashkëta të të dyja vendeve lidhur me çështjet që kanë të bëjnë kryesisht me trashëgiminë historike dhe kulturore të dyja vendeve.
Bullgarët pretendojnë se shumica e figurave historike të Maqedonisë së Veriut janë bullgarë dhe i takojnë çështjes bullgare, ndërsa pala maqedonase i mohon këto pretendime.
Por, realisht, cilat janë pasojat e moszgjidhjes së këtij kontesti, i cili mund të zgjasë me dekada ose të mos zgjidhet asnjëherë?
Kjo gjendje e status quo-së i konvenon palës bullgare, sepse, realisht, ajo nuk humbet asgjë dhe ka një pozicion shumë të favorshëm në bisedime edhe për faktin se është antare e BE-së
Ndërkohë, pala maqedonase është ajo që humbet çdo ditë në aspektin ekonomik, të burimeve njerëzore, për shkak të ikjes së profesionistëve, mungesës së investimeve të huaja, izolimit të qytetarëve, marrjes së pasaportave bullgare (mbi 200 mijë pasaporta bullgare), rritjes së euroskepticizmit dhe presionit të brendshëm për shkak të papunësisë së lartë. Të gjitha këto, si dhe shumë të tjera, janë pasoja që duhet t’i vuajë Republika e Maqedonisë së Veriut dhe të cilat e në shumë shtohen dhe rriten.
Por, çfarë ndodh me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, përbëjnë 30% të banorëve të saj?
Të parët dhe të dytët e dinë se çfarë humbin dhe çfarë fitojnë, por shqiptarët, në këtë rast, janë dëm kolateral dhe duhet të vuajnë të njëjtat pasoja, duke mbështetur bashkëvendësit e tyre maqedonas në këmbënguljen për të mos e zgjidhur asnjëherë këtë kontest me bullgarët?
Shqiptarët varfërohen çdo ditë, diskriminohen, plaçkiten nga shteti, dhunohen nga policia shtetërore, u mohohet gjuha dhe punësimi, si dhe diskriminohen mbi baza etnike, ekonomike, sociale, kulturore e arsimore, madje edhe fetare.
Pse duhet shqiptarët t’i mbështesin verbërisht maqedonasit në kontestin me Bullgarinë, kur shteti ua kthen me diskriminim dhe shkelje të të drejtave të tyre, madje edhe të atyre që ua garanton ligji, por që vetë institucionet shtetërore ua mohojnë ose nuk ua respektojnë?
Çfarë bën shteti shqiptar për mbrojtjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut?
Çfarë bën shteti shqiptar për të mbrojtur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, duke pasur parasysh se ka edhe obligim kushtetues (neni 8 i Kushtetutës së Shqipërisë)?
A ka bërë shteti shqiptar ndonjë studim apo analizë, ose a ka hartuar Akademia e Shkencave Shqiptare ndonjë strategji për mbrojtjen e shqiptarëve?
Çfarë ka bërë Shqipëria, përveç angazhimit të një ambasadori, Denion Meidanit, të cilin, deri sa e larguan nga detyra, nuk pushuan së sulmuari? Atij duhet t’ia heqim kapelën dhe t’i përulemi me shumë mirënjohje e falënderim për gjithçka që ka bërë dhe për përpjekjet e tij për të na ndihmuar në çdo aspekt.
Por, me një lule nuk vjen vera!
Po Kosova?
Çfar bën Kosova për Shqiptarët e Maqedonisë, kur, gjatë viteve të luftës, qindra shqiptarë nga Maqedonia derdhën gjakun e tyre për Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ndërsa afër një milion shqiptarë të Kosovës u strehuan në shtëpitë e tyre dhe u ushqyen për më shumë se gjashtë muaj?
A ka Kosova një plan apo strategji? Çfarë bën Akademia e Shkencave?
Sa i përket kryeministrit, e kemi parë me sa pasion dhe dashuri përqafohet me kryeministrin maqedonas, duke ia vulosur pretendimet se gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Për miqtë e tij, SHARAVARI & CO, as që ia vlen të komentojmë.
A duhet shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ta marrin fatin e tyre në duart e veta?
A duhet shqiptarët e Maqedonisë së Veriut t’i përveshin mëngët dhe të hartojnë një platformë për të dalë nga kjo gjendje mjerimi, e cila po na shfaros dalëngadalë, çdo ditë e më shumë?
Çfarë na duhet shteti nëse nuk kemi rini? Çfarë na duhen të drejtat në letër, kur nuk do të ketë kush t’i ushtrojë ato?
A duhet t’ua themi maqedonasve hapur, në sy dhe drejtpërdrejt:
Ju mbështetëm për tri dekada në kontestin me Greqinë, me Bullgarinë dhe me Serbinë, ndërsa ju na e kthyet me diskriminim, vrasje, burgosje, mohim të lirisë së gjuhës, të kulturës, të shkollimit dhe të punësimit. Madje, na vratë dhe na bombarduat për gjashtë muaj rresht me avionë, helikopterë, tanke dhe gjithçka tjetër që kishit në dispozicion. E, megjithatë, përsëri shqiptarët i bëni fajtorë për gjithçka.
Në stadiume na dëshironi të vdekur, me thirrjet: „Mrtov Shiptar, dobar Shiptar“ (Shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë).
Epo, duhet të ketë një kufi kjo punë!
Duhet t’u themi se ne po shohim interesin tonë. Ju mbështetëm deri në vetmohim, por më shumë i duam fëmijët tanë dhe nuk duam që ata të na ikin në Evropë. Përkundrazi, duam t’u krijojmë atyre një të ardhme këtu, në vendlindjen e tyre.
Autorë i tekstit: Shefik Duraku – Haraçinë Shkup
