Mungesa e librave shkollorë po shkakton shqetësim te nxënësit dhe prindërit në disa shkolla fillore në Çair, ku, sipas ankesave të prindërve, një pjesë e nxënësve kanë nisur vitin shkollor pa tekstet e nevojshme.
Sipas informacioneve të prindërve, në vend që librat të sigurohen përmes institucioneve përgjegjëse, familjeve u është kërkuar që të sigurojnë ose blejnë vetë materialet që u nevojiten fëmijëve për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Situata ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e furnizimit të shkollave me tekste shkollore dhe përgjegjësinë institucionale për garantimin e kushteve të barabarta për të gjithë nxënësit.
Prindërit shprehen të shqetësuar se kjo praktikë krijon një barrë shtesë financiare për familjet, veçanërisht në rastet kur bëhet fjalë për disa libra dhe materiale të nevojshme për njëkohësisht.
Mbetet e hapur pyetja: Kush mban përgjegjësi për mungesën e librave dhe pse prindërit duhet të përballojnë shpenzime për sigurimin e tyre?
Nga institucionet përgjegjëse pritet sqarim nëse tekstet shkollore janë siguruar në tërësi, sa nxënës janë aktualisht pa libra dhe kur pritet që mungesat të tejkalohen.
