Skandal në Bllacë: kazino pranë varrezave shqiptare në Shkup

SHKUP – Një situatë që po ngjall reagime të forta është duke u zhvilluar në zonën e Bllacës, ku ndodhen një nga varrezat më të mëdha shqiptare në kryeqytet, pranë kufirit me Kosovën.

Kjo hapësirë për shumë familje përfaqëson vend kujtimi dhe respekti, ku prehen më të dashurit e tyre. Megjithatë, vetëm pak metra larg varrezave, sipas të dhënave zyrtare të kadastrës, një parcelë figuron në pronësi të kompanisë “Flamingo Casino”.

Në terren, punimet tashmë kanë nisur dhe janë hapur themelet, duke sinjalizuar ndërtimin e një objekti të ri shumë pranë varrezave.

Ky zhvillim ka nxitur kritika të shumta në opinion, sidomos për shkak të premtimeve të mëhershme për largimin e kazinove nga zonat e banuara dhe hapësirat publike. Për shumë qytetarë, ky rast shihet si një kundërshti e hapur me ato zotime.

Reagimet nuk mungojnë as nga familjarët dhe banorët e zonës, të cilët e konsiderojnë këtë si një cenim të ndjenjave dhe të dinjitetit njerëzor.

Deri më tani, nuk ka një sqarim të detajuar nga institucionet për lejet dhe projektin që po realizohet në këtë zonë, ndërsa kërkesat për transparencë po shtohen.

Back To Top