Komuna e Çairit ka reaguar publikisht ndaj akuzave dhe raportimeve për punësimin e ish-kandidatit për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadani, i cili sipas të dhënave në Open Finance rezulton të marrë rreth 1,000 euro pagë mujore nga kjo komunë.
Nga Komuna theksojnë se çdo angazhim dhe pagesë është bërë në përputhje të plotë me ligjin, duke shtuar se të gjitha janë të dokumentuara dhe të verifikueshme. Ata mohojnë kategorikisht çdo pretendim për parregullsi apo angazhime fiktive.
“Nuk ka asnjë pagesë pa bazë reale. Çdo person i angazhuar ka detyrime konkrete dhe çdo shërbim është i kryer dhe i dokumentuar,” thuhet në reagim.
Nga Komuna e Çairit akuzojnë se po bëhen përpjekje për të devijuar vëmendjen përmes, siç i quajnë ata, “konstrukte politike”, duke insistuar se thelbi i çështjes nuk është vendbanimi i individit, por puna e kryer – e cila sipas tyre është e konfirmuar.
Në reagim nuk mungon as ironia ndaj kritikëve:
“Është ironike që ata që për vite nuk vendosën standarde transparence, sot tentojnë të mbajnë leksione për llogaridhënie.”
Komuna siguron se mbetet e përkushtuar ndaj transparencës dhe paralajmëron se nëse ka dyshime për keqpërdorim, do të jenë të parët që do të kërkojnë hetim dhe përgjegjësi.
