Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski për situatën e sigurisë dhe tensionet në Ballkan.
Mickoski, pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, paralajmëroi se tensionet dhe retorika nxitëse në rajon mund të krijojnë një situatë serioze.
Në reagimin e tij, Taravari e zhvendos vëmendjen te situata e brendshme, duke theksuar se përgjegjësia për ruajtjen e stabilitetit duhet të nisë nga vetë institucionet e vendit.
“Nëse kryeministri Hristijan Mickoski është i vetëdijshëm se një retorikë e papërgjegjshme dhe një shkëndijë e vetme mund të shkaktojnë tensione serioze në Ballkan, atëherë këtë përgjegjësi duhet ta tregojë para së gjithash brenda Maqedonisë së Veriut”, shprehet Taravari.
Ai thekson rëndësinë e respektimit të karakterit multietnik të shtetit, duke kërkuar, siç shprehet, respekt institucional, përfaqësim të drejtë dhe trajtim të barabartë për shqiptarët.
Taravari e lidh çështjen e stabilitetit edhe me marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me fqinjët dhe procesin e integrimit evropian. Sipas tij, çështjet e hapura duhet të trajtohen përmes dialogut dhe përgjegjësisë politike, ndërsa rruga drejt Bashkimit Evropian nuk duhet të shndërrohet në burim tensionesh të vazhdueshme.
Deklaratat vijnë në një moment kur debati për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit është rikthyer në vëmendjen politike, pas paralajmërimeve të Mickoskit për rritjen e tensioneve në rajon.
Taravari e përmbyll reagimin me thirrje për më shumë dialog, barazi dhe orientim evropian, duke theksuar se nëse ekziston shqetësimi për “shkëndija” që mund të destabilizojnë rajonin, atëherë, sipas tij, duhet shmangur krijimi i tensioneve edhe brenda vendit.
