VLEN pa një qëndrim unik – njëri thotë një javë, tjetri tre muaj për çështjen e provimit të jurisprudencës.

Me deklarata të ndryshme dhe kundërthënëse, VLEN-i po garanton që do të mundësojë dhënien e provimit e jursiprudencës në gjuhën shqipe. Pëderisa zyrtarët e VLEN-it, japin afate të ndryshme kohore për zgjidhjen e provimit të jurisprudencës, kryeministri i vendit nga ana tjetër, thotë se çështja e ligjit duhet të dërgohet në Komisionin e Venedikut, shkruan Portalb.mk.

Zëvendëskryeministri Bekim Sali, tha sot para gazetarëve se janë në përfundim e sipër të fazës së konsultimeve me ekspertë. Ndoshta, siç tha ai, edhe një javë mund të zgjasë deri në vendimin final të cilin do ta promovojnë në mënyrën e njëjtë, për arsye se që nga fillimi ka pasur vullnet të mirë politik që të zgjidhet ky problem.

“Por, nuk do të jetë vetëm jurisprudenca, do të jenë edhe shumë tema të tjera të cilat duam në pako t’i zgjidhim njëherë e përgjithmonë dhe mos të shkaktojmë, dhe mos të japim arsye që studentët tanë të kenë pakënaqësi ndaj funksionimit të institucioneve dhe trajtimit të tyre nga ana e institucioneve shtetërore”, deklaroi zëvendëskryeministri Sali.

Ndërkaq, bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti për Euronews, tha se janë marrë vesh me kryeminsitrin e vendit, Hristijan Mickoski për gjuhën shqipe dhe çështja e provimit të jurisprudencës do të rregullohet për 3 muaj.

“Ashtu siç i kemi zgjidhur këto dikastere, do të vazhdojmë me provimin e jurisprudencës që është kërkesë e studentëve, por jo vetëm te jurisprudenca, ne kemi rënë dakord që ligji i gjuhëve të zbatohet edhe në fusha tjera ku ka të bëjë me provime profesionale apo me licenca që duhet të merren. Nuk kemi kërkuar jemi marrë vesh, jemi dakorduar, është deklaratë e përbashkët e kryeministrit dhe dy partnerëve qeverisës VMRO dhe VLEN. Le të jetë një afat tre mujor sepse ka procedurë duhet të bëhet propozim ndryshim të ligjit, duhet të kaloi në Qeveri duhet të kaloi në Parlament”, u shpreh bashkëkryetari i VLEN-it Mexhiti për Euronews.

Back To Top