VLEN prapë merren me Edi Ramën. Kush po i udhëzon kështu?

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, edhe një herë ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke e akuzuar se për vite me radhë nuk ka reaguar ndaj, siç tha ai, degradimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Kasami deklaroi se sulmet e koordinuara nga Tirana, ku sipas tij përfshihen zyrtarë, analistë dhe artistë, lidhen me marrëdhëniet personale që Tirana zyrtare ka pasur me përfaqësuesit shqiptarë në pushtet në Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë, ai vlerësoi si pozitiv faktin që Tirana më në fund po reagon për çështjen shqiptare, ndonëse, sipas tij, kjo po ndodh me dy dekada vonesë.

“Është dashur të reagojnë 20 vite më parë, që të mos degradojë pozita e shqiptarëve deri në pikën ku e gjetëm ne para dy viteve”, deklaroi Kasami.

Ai shtoi se raportet mes Shkupit dhe Tiranës duhet të mbeten në nivel institucional dhe të mos ndikohen nga marrëdhënie personale apo emocionale.

Në deklaratën e tij, Kasami përmendi edhe Ali Ahmeti, duke thënë se po të ishte kritikuar më herët nga Rama, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut sot do të ishin në një pozitë më të favorshme.

Deklaratat e fundit të drejtuesve të VLEN-it kanë nxitur reagime në opinion, ku shtrohet pyetja pse fokusi i tyre vazhdon të mbetet te Edi Rama, në vend që vëmendja të përqendrohet te problemet konkrete me të cilat përballen shqiptarët në vend.

Back To Top