Zyrë për deputeten në komunë – shërbim qytetar apo privilegj partiak?
Komuna e Sarajit është përfshirë në një debat publik pas hapjes së një zyre të posaçme brenda institucionit për takime të deputetes së VLEN, Feride Haxhiu, e mundësuar nga kryetari i komunës, Muhamed Elmazi.
Ky zhvillim ka ngritur dilema nëse bëhet fjalë për një hap në funksion të afrimit të përfaqësuesve me qytetarët, apo për një trajtim të privilegjuar mbi baza partiake. Kritikët pyesin se mbi çfarë kriteresh është marrë ky vendim dhe pse një mundësi e tillë nuk u ofrohet të gjithë deputetëve të zonës, pa dallim politik.
Sipas reagimeve, nëse qëllimi është rritja e qasjes së qytetarëve tek përfaqësuesit e tyre, atëherë praktika duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke përfshirë të gjithë deputetët që përfaqësojnë këtë zonë.
Ndërkohë, theksohet se Komuna e Sarajit është institucion publik që duhet të funksionojë në mënyrë të paanshme dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve, e jo si hapësirë për veprimtari të një subjekti të vetëm politik.
Rasti ka nxitur thirrje që autoritetet përgjegjëse të shqyrtojnë nëse ky veprim është në përputhje me standardet ligjore dhe etike, ndërsa nga udhëheqësia komunale kërkohet më shumë transparencë dhe barazi në trajtimin e përfaqësuesve të zgjedhur.
