🔴 Kërcënime ndaj gazetares Milka Smilevska, SHGM kërkon reagim urgjent nga MPB-ja

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka kërkuar reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Brendshme pas thirrjeve për dhunë fizike ndaj gazetares Milka Smilevska, të publikuara në komentet në rrjetin social Facebook.

Sipas SHGM-së, në profilin me emrin “E vërteta dhemb” është publikuar një fotomontazh me imazhin e gazetares Smilevska, pas së cilës në komente janë shfaqur fyerje, nënçmime dhe thirrje për dhunë. Ndër komentet ka pasur edhe një thirrje për “thyerjen e eshtrave” të gazetares.

Nga Shoqata bëjnë të ditur se rasti është denoncuar në Sektorin për Krim Kompjuterik pranë MPB-së. Ata kërkojnë që institucionet kompetente të hetojnë urgjentisht përmbajtjet e publikuara, të identifikojnë personat që kanë bërë kërcënimet dhe të ndërmarrin masa përkatëse ligjore.

SHGM kërkon gjithashtu vlerësimin e gjendjes së sigurisë dhe marrjen e masave për mbrojtjen e sigurisë personale të Smilevskës.

Nga kjo shoqatë paralajmërojnë se thirrjet e tilla nuk duhet të trajtohen si komente të zakonshme në rrjetet sociale.

“Asnjë mospajtim me një qëndrim gazetaresk, raportim apo angazhim profesional nuk mund të jetë arsyetim për thirrje për dhunë”, thuhet në reagimin e SHGM-së.

Shoqata thekson se liria e shprehjes nuk mund të përdoret si justifikim për kërcënime dhe nxitje të dhunës ndaj gazetarëve.

Back To Top