LAJMI I FUNDIT: Qeveria e dërgon propozimin për provimin e jurisprudencës në Venecia!

Vendimi i Qeverisë për ta dërguar në Komisionin e Venecias propozimin lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, përbën një tjetër dëshmi të mungesës së vullnetit politik për ta zgjidhur një çështje që prek drejtpërdrejt të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në vend që të ndërmerren hapa konkretë për garantimin e së drejtës së studentëve shqiptarë që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën e tyre, pushteti zgjedh ta dërgojë çështjen në Venecia, duke e shtyrë edhe më tej një problem që prej kohësh kërkon zgjidhje institucionale.

Por pyetja kryesore është: Ku janë përfaqësuesit shqiptarë të VLEN-it në këtë histori? Ku është ministri i Drejtësisë, Igor Shasivari, dhe çfarë po bën për ta mbrojtur të drejtën e studentëve shqiptarë?

VLEN-i erdhi në pushtet me premtime për barazi, dinjitet dhe avancim të pozitës së shqiptarëve. Sot, kur kërkohet një qëndrim i qartë dhe një përgjegjësi konkrete, përfaqësuesit e saj duket se janë më shumë spektatorë sesa zë i shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Gjuha shqipe nuk është privilegj, as kërkesë politike e një partie. Ajo është e drejtë e qytetarëve dhe nuk duhet të trajtohet si çështje që mund të zvarritet nga një institucion në tjetrin.

Studentët shqiptarë nuk kanë nevojë për arsyetime, deklarata dhe premtime të reja. Ata presin zgjidhje!

Nëse VLEN-i nuk arrin të mbrojë as të drejtën e studentëve për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja: Për çfarë po i përfaqëson shqiptarët në këtë Qeveri?

Back To Top