🔴 Asani i reagon Kostovskit: Buteli nuk është pronë e jotja, qytetarët do të përgjigjen me votë

Shkup, 1 nëntor – Kryetari i Degës së BDI-së në Butel, Muharrem Asani, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Butelit, Darko Kostovski, i cili në një postim në rrjetet sociale ka thënë se “në Butel nuk kryen punë diaspora” dhe se “në Butel nuk ka vend për banditë”. Asani i ka cilësuar këto deklarata si fyese ndaj shqiptarëve dhe si shprehje të frikës nga përballja zgjedhore.

“Kur të mungojnë argumentet, fillojnë etiketimet. Kur të lëkundet kolltuku, të pengon edhe diaspora!”, është shprehur Asani. Në reagimin e tij, Asani ka theksuar se shqiptarët nuk duhet të trajtohen si oborr politik, ndërsa ka kritikuar edhe mbështetësit politikë të Kostovskit, duke i akuzuar se heshtin përballë nënçmimeve për të ruajtur pozitat e tyre.

“Buteli nuk është prona jote dhe dinjiteti i shqiptarëve nuk është çmimi i koalicionit tënd!”, ka deklaruar Asani.

Postimi i plotë i Muharrem Asanit:

Darko nuk e fsheh dot frikën! Paska thënë se “në Butel nuk kryn punë diaspora” dhe se “në Butel nuk ka vend për banditë”.

Paramendojeni, kryebanditi i Butelit merr guxim dhe ofendon shqiptarët! Mendon se, shqiptarët janë si vasalët që ka përreth e që kriminalizojnë çdo pore të shoqërisë.
Darko, Buteli përveç që do bie nga duart tua, por do përgjigjesh për çdo nënçmim që u bën shqiptarëve. Dhe jo vetëm ti, por edhe vasalët që mëngjes, drekë e darkë të thonë: Zhiveli shefe!

Darko, frika nuk fshihet me fyerje! Paske thënë se “në Butel nuk kryen punë diaspora” dhe se “në Butel nuk ka vend për banditë”. Kur të mungojnë argumentet, fillojnë fyrjet dhe nënçmimet etnike. Kur të lëkundet kolltuku, të pengon edhe diaspora!

Darko, shqiptarët nuk janë oborri yt politik. Mos i ngatërro me vasalët që të rrinë përreth dhe çdo nënçmim e përtypin me buzëqeshje, vetëm për ta ruajtur karrigen.
Buteli nuk është prona jote, ndërsa dinjiteti i shqiptarëve nuk është çmimi i koalicionit tënd!

Për çdo fyerje ka përgjigje politike. Ajo jepet me votë – edhe për ty, edhe për ata që mëngjes, drekë e darkë të thonë: “Zhiveli, shefe!”

Ju vazhdoni dollitë. Qytetarët e kanë radhën te kutitë! Shumë shpejt, Buteli do ta ketë fatin e Bërvenicës!

Back To Top