Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk është përmendur as në takimin e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivarit me drejtorin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizin, shkruan Portalb.mk.
Në Ministrinë e Drejtësisë dje u realizua takim midis Shasivarit dhe Idrizit, për të cilin njoftoi ky i fundit.
Në publikimin në profilin e tij në Facebook, Idrizi shkroi se zhvilluan takim të rëndësishëm në frymë të bashkëpunimit midis dy institucioneve.
Megjithatë, askund nuk u përmend çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ndryshe nga Idrizi, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari nuk ka ndarë ndonjë njoftim për këtë takim në faqen e Facebookut. Njoftim nuk pati as në faqen e Ministrisë së Drejtësisë apo kumtesë.
Mungesa e diskutimit për jurisprudencën në gjuhën shqipe bie në sy edhe për faktin se të dy institucionet janë përmendur vazhdimisht në debatin publik lidhur me këtë çështje. Ministria e Drejtësisë është institucioni përgjegjës që e ofron këtë provim, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ka detyrë inspektojë zbatimin e gjuhëve nëpër institucione.
Jurisprudenca në shqip nuk u përmend as në takimin e Shasivarit e drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmanin.
