Shkup, 11 maj – Kryetari i Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Strugë, Faton Pollozhani, ka reaguar ndaj vendosjes së tabelave të reja në autostradën Kërçovë–Ohër pa përdorimin e gjuhës shqipe, duke e cilësuar këtë si vazhdimësi të një “mentaliteti të vjetër” që, sipas tij, nuk respekton karakterin shumetnik të shtetit.
Në reagimin e tij, Pollozhani thekson se mungesa e gjuhës shqipe në tabelat e reja paraqet shkelje të dispozitave ligjore për përdorimin e gjuhëve dhe dërgon mesazh përjashtues ndaj shqiptarëve në vend.
Reagimi i plotë i Faton Pollozhani:
Tabela të reja, por i njëjti mentalitet i vjetër. Vendosja e tabelave të reja në autostradën Kërçovë-Ohër, pa përdorimin e gjuhës shqipe, paraqet një tjetër shembull të mosrespektimit të karakterit shumetnik të shtetit dhe të dispozitave ligjore për përdorimin e gjuhëve.
Shqipja është gjuhë zyrtare dhe prania e saj në hapësirat publike nuk është çështje vullneti politik, por obligim institucional dhe ligjor.
