🔴 Dera gjysmë e hapur e BE-së për Ballkanin: A po e ndjek VLEN kursin e Mickoskit drejt bllokadës?

Integrimi evropian ishte një nga premtimet kryesore me të cilat VLEN kërkoi besimin e qytetarëve. Gjatë fushatës dhe në muajt e parë të qeverisjes, përfaqësues të këtij koalicioni e vendosnin anëtarësimin në Bashkimin Evropian si prioritet absolut, duke paralajmëruar se, nëse nuk do të kishte lëvizje konkrete në procesin e integrimit brenda një periudhe të caktuar, do të rishqyrtonin qëndrimin e tyre në qeveri.
Sot, megjithatë, kjo çështje pothuajse nuk zë vend në diskursin politik të VLEN-it. Ndërsa vendi vazhdon të përballet me pengesa në rrugën drejt BE-së, kritikat janë shtuar se koalicioni ka zbutur qëndrimet e tij dhe po ndjek kursin e partnerit qeverisës, në vend që të ushtrojë presion për përmbushjen e zotimeve të dhëna.
Sipas kritikëve, premtimet për largim nga qeveria në rast të mungesës së progresit evropian nuk përmenden më, ndërsa fokusi është zhvendosur në deklarata politike që nuk shoqërohen me veprime konkrete.
Në këtë kontekst, edhe deklaratat e deputetit Bekim Sali për orientimin evropian të vendit po cilësohen nga kundërshtarët politikë si retorikë pa rezultate të prekshme. Ata argumentojnë se, përkundër fjalëve për integrimin, qytetarët nuk shohin hapa konkretë që do ta afronin vendin me Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, procesi i integrimit mbetet i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe kushteve që ende nuk janë përmbushur, duke ngritur pyetjen nëse VLEN vazhdon ta ketë integrimin evropian prioritet real, apo nëse kjo temë ka mbetur vetëm pjesë e premtimeve të dikurshme.

Back To Top