Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në intervistën e tij të fundit deklaroi se premtimi për punësimin e 2.000 shqiptarëve në administratën publike është realizuar. Megjithatë, faktet dhe shifrat zyrtare flasin ndryshe.


Sipas një analize të Portalb.mk, gjatë vitit 2025 në administratën publike janë punësuar gjithsej 2.471 persona. Kjo do të thotë se, që pretendimi i Mexhitit të ishte i vërtetë, afro 80 për qind e të gjithë të punësuarve të rinj do të duhej të ishin shqiptarë, gjë që nuk mbështetet nga asnjë e dhënë publike.
Madje, statistika më objektive e rrëzon plotësisht këtë pretendim. Në vitin 2024, shqiptarët përfaqësoheshin me 22.3 për qind në administratën publike, ndërsa në vitin 2025 kjo përqindje ka rënë në 21.7 për qind, një ulje prej 0.6 pikë përqindjeje.
Pra, ndërsa Izet Mexhiti flet për 2.000 punësime të shqiptarëve, numrat tregojnë të kundërtën. Nëse ky premtim do të ishte realizuar, përfaqësimi i shqiptarëve do të duhej të rritej dhe jo të binte.
Përballë statistikave zyrtare, deklaratat e bashkëkryetarit të VLEN-it rezultojnë të pambështetura në fakte, duke ngritur dyshime serioze se premtimi për 2.000 punësime është më shumë një deklaratë politike sesa një realitet i vërtetuar me shifra.
