Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës po përballet me sfidën e parë brenda kampit të mbështetësve.
Dy partitë kanë dakorduar Bekim Sejdiun si kandidat të përbashkët për president, me synimin për t’i dhënë fund ngërçit politik dhe për të shmangur një krizë të re institucionale.
Megjithatë, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se nuk do ta votojë Sejdiun. Qëndrimi i tij ngre pikëpyetje mbi sigurimin e votave të nevojshme dhe mund të komplikojë procesin e zgjedhjes së presidentit.
Sipas skemës së publikuar, LVV dhe LDK kanë 80 deputetë, numër ky që lidhet me kuorumin e nevojshëm për procesin. Për rrjedhojë, çdo deputet që refuzon të marrë pjesë ose të mbështesë marrëveshjen mund të ndikojë drejtpërdrejt në proces.
Nëse dështon zgjedhja e presidentit, Kosova mund të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme, duke e thelluar edhe më tej pasigurinë politike.
Tashmë vëmendja është te qëndrimi i deputetëve të tjerë të LDK-së dhe nëse kundërshtimi i Hotit do të mbetet individual apo do të pasohet edhe nga deputetë të tjerë.
