Pas protestave të zhvilluara në Kosovë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, një marsh protestues është paralajmëruar edhe në Shkup.
Këshilli Organizativ i Marshit Protestues ka njoftuar se po organizon një tubim në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët më 16 shtator u dënuan në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas njoftimit, organizatorët e kanë cilësuar aktivitetin si marsh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke kundërshtuar vendimin e gjykatës dhe duke kërkuar drejtësi për të dënuarit. Detajet për datën, itinerarin dhe mënyrën e zhvillimit të marshit pritet të bëhen publike nga Këshilli Organizativ.
Ndërkohë, në Kosovë protestat kundër vendimit kanë vazhduar prej ditës së shpalljes së aktgjykimit. Vetëm më 23 shtator u mbajt protesta e tetë radhazi në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Ky nuk është aktiviteti i parë në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Më 15 shtator, Forumi Rinor Shqiptar organizoi një aktivitet sensibilizues në sheshin “Skënderbej”, në prag të shpalljes së aktgjykimit në Hagë.
Aktualisht, organizatorët në Shkup pritet të japin detajet e plota për marshin dhe pjesëmarrjen. Vendimi i 16 shtatorit është i shkallës së parë dhe ndaj tij parashihet mundësia e apelimit.
