“Dikur e quante gënjeshtër me bisht”, sot si ministër sjell “modelin e kombinuar” – Shasivari përballë fjalëve të tij

Nga mbështetja e 385 studentëve shqiptarë dhe kërkesa për provimin e jurisprudencës në shqip, te një model që e ndan provimin mes shqipes dhe maqedonishtes. Ky është ndryshimi në qëndrimin e Jeton Shasivarit, nga kritiku i vendimit të Ministrisë së Drejtësisë te ministri që sot duhet të japë zgjidhjen.

Në shkurt, kur ende nuk ishte ministër i Drejtësisë, Jeton Shasivari nuk kursente kritikat ndaj institucionit që refuzonte mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në shqip. Përballë argumentit se ligji nuk e lejonte këtë mundësi, Shasivari përdorte një formulim të prerë: e quante këtë pretendim “rrenë me bisht”.

Në atë periudhë, 385 studentë shqiptarë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” kërkonin që provimi të zhvillohej në shqip, në gjuhën në të cilën kishin ndjekur studimet juridike. Çështja u shoqërua edhe me protesta, ndërsa Shasivari publikisht shprehu mbështetje për kërkesën e studentëve.

Madje, para protestave, Shasivari e kishte cilësuar kërkesën si çështje të barazisë profesionale dhe kishte deklaruar mbështetje publike e morale për studentët.

Por sot, Shasivari është në anën tjetër të tavolinës.

Si ministër i Drejtësisë, ai nuk po paraqet më zgjidhjen e thjeshtë që kërkonin studentët. Në vend të provimit tërësisht në shqip, në diskutim është vendosur një “model i kombinuar”, ku pjesa teorike zhvillohet në shqip, ndërsa pjesa praktike në maqedonisht. Shasivari e ka mbrojtur këtë model duke thënë se nuk bëhet fjalë për një zgjidhje gjysmake, por për një model që është në përputhje me Kushtetutën dhe standardet evropiane.

Këtu qëndron edhe kontradikta që ka hapur debat: njeriu që para marrjes së postit e cilësonte si “gënjeshtër me bisht” arsyetimin kundër provimit në shqip, sot po mbron një zgjidhje që nuk ua plotëson studentëve kërkesën për provim tërësisht në gjuhën shqipe.

Studentët, ndërkohë, kanë qenë të qartë se nuk tërhiqen nga kërkesa e tyre. Ata kërkojnë që edhe teoria edhe praktika të zhvillohen në shqip, dhe jo një ndarje të provimit sipas gjuhës.

Ndërsa Shasivari sot e vendos çështjen në një kornizë më të gjerë, duke përmendur edhe kërkesa për provim në anglisht dhe turqisht, pyetja që mbetet është e thjeshtë:

Çfarë ndryshoi – kërkesa e studentëve apo qëndrimi i Shasivarit?

Nga protestues dhe mbështetës i kërkesës për shqipen, në zyrën e ministrit ku duhet të merret vendimi përfundimtar. Nga “gënjeshtër me bisht” te “modeli i kombinuar” – ndryshimi i gjuhës politike është tashmë i dukshëm.

Back To Top