🔴 Presioni i madh politik i BDI-së e detyron Kitanoviqin të fshijë postimin për Mlladiqin

Pas tre ditësh heshtje dhe përballë reagimeve të shumta publike e politike, drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, doli me një deklaratë lidhur me postimin e tij kontrovers për Ratko Mlladiqin.

Kitanoviq pretendon se e ka fshirë menjëherë postimin, ndërsa në deklaratën e tij kërkon falje ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrave që, sipas tij, janë përfshirë në atë që e cilëson si “përballje politike”.

Megjithatë, deklarata e tij vjen vetëm pas një presioni të madh politik dhe publik, veçanërisht pas reagimeve të ashpra nga BDI-ja, e cila e ngriti çështjen e postimit dhe kërkoi përgjegjësi për publikimin ku Mlladiqi paraqitej së bashku me figura të tjera të historisë serbe, përfshirë Draža Mihailoviqin, nën mbishkrimin “Gjeneralët e ushtrisë qiellore”.

Kitanoviq thotë se është i gatshëm të mbajë përgjegjësi për çdo fjalë të tij, por mohon se ka pasur qëllim të ofendojë apo poshtërojë ndonjë popull, fe apo komunitet etnik.

“Jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi për çdo fjalë timen. Por nuk do të mbaj përgjegjësi për manipulimet e të tjerëve me fjalët e mia”, deklaroi Kitanoviq, duke e cilësuar situatën si “gjueti” dhe “linçim politik”.

Ai gjithashtu pretendon se nuk do të heqë dorë nga ajo që e quan “e vërteta e familjes së tij”, duke deklaruar se një pjesë e familjes së tij në Bosnje dhe Hercegovinë ka mbijetuar gjatë luftës falë njësive të rregullta ushtarake të udhëhequra nga Ratko Mlladiqi.

Deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të forta, sidomos për faktin se bëhet fjalë për një figurë të dënuar me burgim të përjetshëm në Hagë për gjenocid dhe krime lufte.

Rasti ka hapur sërish debat për përgjegjësinë e bartësve të funksioneve publike dhe për kufirin mes qëndrimeve personale dhe përgjegjësisë institucionale.

Për kritikët e tij, fshirja e postimit pas reagimeve të fuqishme nuk e mbyll çështjen. Përkundrazi, mbetet pyetja nëse një zyrtar i lartë shtetëror mund të publikojë përmbajtje të tillë dhe më pas ta mbyllë rastin vetëm me një sqarim dhe një kërkim faljeje.

Back To Top