VLEN-i kërkon llogari nga BDI-ja për Alta Bankën, por deputetja e tij nuk përgjigjet kur pyetet për përgjegjësinë e qeverisë!
Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri, është vënë përballë një pyetjeje të drejtpërdrejtë nga një gazetar maqedonas, e cila ekspozon një kundërthënie në qëndrimet publike të koalicionit qeverisës për çështjen e Alta Bankës.
Gazetari e pyeti se si është e mundur që Alta Banka dhe Davor Macura të kenë hyrë në tregun maqedonas gjatë kohës kur në pushtet janë VLEN-i dhe VMRO-DPMNE-ja, nëse pretendimi i VLEN-it është se pas kësaj skeme qëndron BDI-ja.
Me fjalë të tjera, nëse BDI-ja paska qenë përgjegjëse për këtë çështje, si shpjegohet që institucionet aktuale, të drejtuara nga koalicioni VLEN–VMRO, kanë lejuar hyrjen dhe veprimtarinë e Alta Bankës në vend?
Por, në vend që të japë një përgjigje konkrete dhe të sqarojë përgjegjësinë e pushtetit ku bën pjesë, Saranda Imeri zgjodhi t’ia delegojë përgjigjen zyrës partiake.
“Ju lutem, mundësisht përgjigjen ta merrni me shkrim nga Media Qendra e VLEN-it”, ishte përgjigjja e deputetes.
Kështu, kur bëhet fjalë për akuza ndaj BDI-së, VLEN-i nuk heziton të dalë me deklarata publike, por kur pyetet për përgjegjësinë e institucioneve që vetë i drejton, përgjigjja shtyhet për një komunikatë të ardhshme.
Ironia është se bëhet fjalë për një çështje që kërkon transparencë institucionale, jo përgjigje të përgatitura nga zyrat partiake.
VLEN-i duhet t’u përgjigjet qytetarëve: kush i lejoi procedurat për hyrjen e Alta Bankës, cilat institucione ishin përgjegjëse dhe çfarë roli kishte qeveria aktuale?
Sepse të jesh në pushtet do të thotë të mbash përgjegjësi, jo vetëm të drejtosh gishtin nga opozita!
