🔴 Tabela nxori 56.31% shqiptarë në Butel – përgjigjja e Darko Kostovskit: mbyllet paralele shqipe në “Penko”!

Vetëm pak ditë më parë, në rrjetet sociale u publikua një tabelë statistikore për përkatësinë etnike të nxënësve në shkollat fillore të Komunës së Butelit. Shifrat tregojnë se 2.971 nxënës janë shqiptarë, apo 56.31%, ndërsa 1.741 janë maqedonas, ose 33%.

Pra, statistikat nxorën qartë në pah se shqiptarët dominojnë në numër në shkollat fillore të Butelit.

Por ajo që ngre pikëpyetje është ajo që ndodhi menjëherë pas publikimit të këtyre të dhënave.

Në shkollën fillore “Penko” është mbyllur një paralele në gjuhën shqipe, ndërsa nxënës shqiptarë që jetojnë shumë pranë shkollës thuhet se nuk do të pranohen. Arsyeja e dhënë është se ata vijnë nga Komuna e Çairit.

Por pyetja që kërkon përgjigje është e thjeshtë: Nëse fëmijët jetojnë vetëm disa dhjetëra metra larg shkollës, pse duhet t’u mbyllet dera pikërisht tani?

Koincidencë apo një vendim që vjen në një moment shumë domethënës?

Publikohen statistikat dhe del se shqiptarët përbëjnë 56.31% të nxënësve në shkollat fillore të Butelit. Pak ditë më pas, mbyllet një paralele në gjuhën shqipe në “Penko”.

Kjo situatë ngre dyshime serioze dhe kërkon transparencë nga Komuna e Butelit dhe kryetari Darko Kostovski.

Nëse vendimi nuk ka asnjë prapavijë politike, atëherë le të publikohet vendimi, kriteret dhe arsyetimi i plotë për mbylljen e paraleles dhe mospranimin e nxënësve shqiptarë.

Sepse nuk bëhet fjalë thjesht për një paralele. Bëhet fjalë për fëmijë shqiptarë, për të drejtën e tyre për arsim në gjuhën shqipe dhe për një shkollë që e kanë pranë shtëpisë.

Dhe mbi të gjitha, mbetet pyetja:

A ishte thjesht rastësi që pas publikimit të statistikave që nxorën shqiptarët në shumicë në shkollat e Butelit, u mbyll një paralele shqipe në “Penko”?

Darko Kostovski duhet të përgjigjet.

Back To Top