🔴Asnjë fjalë për jurisprudencën në shqipnga takimi Shasivari-Osmani

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, zhvilloi takim pune me drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani, ku u diskutua për avancimin e bashkëpunimit institucional dhe zbatimin e vazhdueshëm të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Megjithatë, në kumtesën zyrtare nuk përmendet fare çështja e jurisprudencës në gjuhën shqipe, e cila prej muajsh ka nxitur reagime të shumta nga studentët, profesorët dhe opinioni publik, transmeton Portalb.mk.

Sipas kumtesës së Ministrisë së Drejtësisë, në takim u theksua se zbatimi i plotë i Ligjit për përdorimin e gjuhëve është obligim ligjor dhe element thelbësor për sundimin e së drejtës, sigurinë juridike dhe qasjen e barabartë të qytetarëve në institucione.

Ministri Shasivari, sipas njoftimit, riafirmoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për forcimin e mekanizmave institucionalë që garantojnë respektimin e dispozitave ligjore dhe të drejtave gjuhësore të qytetarëve.

Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani, theksoi se institucioni që ai drejton ofron mbështetje profesionale dhe praktike për institucionet shtetërore në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, përmes udhëzimeve, rekomandimeve dhe asistencës ekspertike, si dhe kujdeset për avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Mirëpo, asgjë nuk është folur mbi çështjen e jurisprudencës në gjuhën shqipe as në publikimet e ministrit Shasivari dhe të drejtorit Osmani në rrjetet e tyre sociale nuk është bërë asnjë referencë për këtë temë, madje nuk është postuar asgjë mbi takimin.

Postimi i fundit i Shasivarit në Facebook është para 23 orësh.

Back To Top