Një manifestim kushtuar Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Komunën e Butelit është shoqëruar me një mungesë që ka ngritur pikëpyetje për përgjegjësinë e përfaqësuesve shqiptarë: flamuri kombëtar shqiptar nuk ishte i pranishëm.
Në manifestimin e organizuar me rastin e 22 Nëntorit, të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, si dhe zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani.
Megjithatë, pavarësisht karakterit kombëtar të kësaj feste, flamuri shqiptar mungoi në manifestim. Kjo situatë ngre një dilemë të rëndësishme: si mund të shënohet Dita e Alfabetit Shqiptar, një nga datat më të rëndësishme të historisë dhe identitetit kombëtar, pa simbolin kombëtar shqiptar?
Vëmendja kryesore drejtohet te zëvendësministri Driton Sulejmani. Si përfaqësues i shqiptarëve në Ministrinë e Arsimit, prania e tij në këtë manifestim ngre pyetjen se përse nuk pati një reagim apo kërkesë publike për përfshirjen e flamurit kombëtar.
A mungoi vullneti për të insistuar në vendosjen e tij, apo protokolli dhe qëndrimi i kryetarit Darko Kostovski ishin më të rëndësishëm se përfaqësimi i simbolit kombëtar? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje, jo vetëm nga zv.ministri, por edhe nga organizatorët e manifestimit.
22 Nëntori nuk është thjesht një aktivitet ceremonial. Është dita që simbolizon përpjekjen historike të shqiptarëve për gjuhën, arsimin dhe identitetin e tyre kombëtar.
Opinioni publik meriton të dijë: Kush vendosi që flamuri shqiptar të mos ishte pjesë e festës në Butel dhe pse zëvendësministri Driton Sulejmani nuk kërkoi që simboli kombëtar të ishte i pranishëm?
Deri në një sqarim nga organizatorët dhe zyrtarët e pranishëm, mungesa e flamurit mbetet një çështje që kërkon përgjegjësi dhe transparencë.
