Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar pas mesazhit të Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili gjatë takimit me të rinjtë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe si themel i identitetit kombëtar.
„Pa gjuhë shqipe nuk ka atdhe, nuk ka Shqipëri, nuk ka shqiptari!”, ishte mesazhi i Presidentit Begaj, të cilin Ademi e vë në qendër të reagimit të tij, duke ngritur njëkohësisht pikëpyetje për qëndrimin e disa përfaqësuesve të VLEN-it.
Ademi shtron pyetjen se përse një mesazh i tillë, që thekson rëndësinë e gjuhës shqipe, duket se po shkakton shqetësim te disa përfaqësues të VLEN-it.
„Pse vallë? Çfarë i shqetëson në këtë mesazh? Pse u pengon kërkesa për përdorimin e gjuhës shqipe dhe zbatimin e plotë të ligjit që e rregullon atë? A nuk është kjo detyra e tyre e parë?”, shprehet Ademi.
Reagimi i tij rikthen në vëmendje çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, një temë që vazhdon të jetë pjesë e debatit politik në Maqedoninë e Veriut.
