Pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Bekim Sali lidhur me gjendjen shëndetësore të Agim Islamit dhe gatishmërinë për t’i ofruar ndihmë mjekësore, ka reaguar Ramiz Dauti, mik i Islamit, i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm në rastin “Alfa”.
Përmes një reagimi në Facebook, Dauti ka falënderuar për gatishmërinë për ndihmë, por ka bërë të ditur se Agimi ka familjen e tij, e cila kujdeset për shëndetin dhe nevojat e tij. Sipas Dautit, ajo për të cilën Agimi ka nevojë prej 18 vitesh nuk është ndihma shëndetësore, por drejtësia.
“Pas disa deklaratave të figurave shtetërore që kanë deklaruar se do të ofrojnë ndihmë shëndetësore për Agimin, dua të sqaroj se Agimi për momentin është në gjendje stabile shëndetësore dhe i ndjek rekomandimet e mjekëve. Nuk kemi nevojë për ndihmë nga askush, sepse Agimi e ka një familje të shëndoshë dhe mua personalisht, që kujdesemi për gjendjen dhe nevojat e Agimit. Ju faleminderit për ndihmën! Agimi ka nevojë për një gjykim fer dhe të paanshëm politikisht. Kërkon drejtësi dhe asgjë tjetër. E për këtë kemi nevojë që Qeveria të ndërhyjë (duke formuar komision) për t’i trajtuar rastet e montuara politike”, ka shkruar Dauti.
Ai ka kundërshtuar edhe qëndrimin e Bekim Salit se rishikimi i rastit “Alfa” është çështje që i takon gjyqësorit dhe se duhet respektuar pavarësia e institucioneve të drejtësisë.
“Po flasim për një gjyqësor me 2% besueshmëri dhe nuk i pranojmë deklaratat e tipit ‘gjyqësori është i pavarur’. Jemi dëshmitarë se çka ka ndodhur në shumë raste”, ka theksuar Dauti.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Bekim Sali ka deklaruar se institucionet përgjegjëse kanë detyrim të sigurojnë kujdesin e nevojshëm shëndetësor për personat që vuajnë dënimin me burg, duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Agim Islamin.

Lidhur me kërkesën për rishikimin e rastit “Alfa”, Sali ka theksuar se familjarët mund t’i shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat ligjorë në dispozicion, ndërsa procedurat për rishikimin e vendimeve gjyqësore janë në kompetencë të organeve të drejtësisë.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se ka kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitet dhe të shqyrtohen edhe faktet e paraqitura më vonë, pa paragjykuar rezultatin përfundimtar të procesit.
Më herët, Ramiz Dauti kishte deklaruar se gjendja shëndetësore e Agim Islamit, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikik, ka nisur të përkeqësohet pas 18 vitesh të kaluara në burg. Sipas tij, familjarët janë takuar me Bekim Salin dhe ish-zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti, por deri më tani janë ende në pritje të një zgjidhjeje konkrete për rihapjen e çështjes.
“Kemi pasur takim me ish-zëvendëskryeministrin Izet Mexhitin, kemi pasur edhe me Bekim Salin dhe ende jemi në pritje për diçka konkrete. Na kanë thënë që kanë mirëkuptim me palën maqedone të koalicionit, VMRO-në, që të gjendet ndonjë zgjidhje ligjore për ta rishikuar rastin edhe njëherë. Ajo pjesë prapë ngelet nga politika, a do të formohet komision, apo metodologjia si do të jetë, presim nga ata”, kishte deklaruar Dauti.
Rasti “Alfa” ka të bëjë me vrasjen e pjesëtarit të njësitit policor “Alfa”, Afrim Arifi, më 26 nëntor 2008 në Shkup. Për këtë ngjarje, Agim Islami dhe Rexhail Qerimi u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramadan Shaqiri u dënua me gjashtë vjet burg.
Rexhail Qerimi ndërroi jetë në burgun e Idrizovës më 27 janar 2022.
Në dhjetor të vitit 2024, Gjykata Penale në Shkup refuzoi kërkesën e Agim Islamit për përsëritjen e gjykimit, ndërsa në prill të vitit 2025, Gjykata e Apelit refuzoi edhe ankesën kundër këtij vendimi.
