Ura e Gurit ndriçohet, shqipja mbetet në hije: Reagon Forumi Rinor i BDI-së!
Përurimi i ndriçimit të ri në Urën e Gurit në Shkup është shoqëruar me reagime për mungesën e gjuhës shqipe në pllakën informuese të këtij monumenti simbol të kryeqytetit.
Forumi Rinor i BDI-së, Dega Çair, ka ngritur shqetësimin se në pllakën informuese janë të përfshira tri gjuhë – maqedonishtja, turqishtja dhe anglishtja, ndërsa gjuha shqipe mungon.
Nga Forumi Rinor shtrojnë pyetjen nëse përfaqësuesit politikë dhe politikanët e VLEN-it, të cilët sonte morën pjesë në përurimin e ndriçimit të ri, e kanë vërejtur këtë mungesë.
Sipas tyre, është e papranueshme që shqipja, me status zyrtar në Shkup dhe në nivel shtetëror, të mos jetë e përfshirë në një monument kaq të rëndësishëm të kryeqytetit.
“Respektojmë përdorimin e çdo gjuhe, përfshirë gjuhën turke, por kërkojmë respektimin e barabartë të gjuhës shqipe dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi”, thuhet në reagimin e Forumit Rinor të BDI-së.
Në fund, ata kërkojnë korrigjimin e menjëhershëm të kësaj mangësie dhe përfshirjen e gjuhës shqipe në pllakën informuese të Urës së Gurit.
Dritat e reja e ndriçuan urën, por mungesa e shqipes mbetet çështja që kërkon përgjigje.
