Mickoski konfirmon propozimin e Shasivarit për jurisprudencën: Dy lëndë do të jepen në maqedonisht!

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka konfirmuar se Qeveria do të procedojë me modelin e propozuar nga ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhë të ndryshme.

Sipas Mickoskit, modeli parasheh që provimi të ndahet në dy pjesë: pjesa që lidhet me studimet universitare të kandidatëve të mund të jepet në gjuhën në të cilën kanë përfunduar studimet, përfshirë shqipen, turqishten dhe anglishten, ndërsa pjesa praktike do të zhvillohet në gjuhën maqedonase.

Konkretisht, dy fushat që lidhen me procedurën penale dhe atë civile, ku simulohet zhvillimi i një procesi gjyqësor, do të mbeten në maqedonisht.

Mickoski theksoi se Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe se nuk do të mundësohet dhënia e të gjithë provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Sipas kryeministrit, gjuha maqedonase duhet të mbetet gjuhë e përbashkët në sistemin gjyqësor, duke e lidhur këtë çështje me funksionimin e shtetit të së drejtës.

Ky konfirmim vjen në vazhdën e debatit për të drejtën e studentëve shqiptarë që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe. Propozimi i Shasivarit, i cili parasheh një zgjidhje të pjesshme gjuhësore, është kundërshtuar nga studentët shqiptarë, të cilët kanë kërkuar që provimi të mbahet tërësisht në shqip.

Ndërkohë, mbetet të shihet nëse modeli i konfirmuar nga Mickoski do të marrë formën përfundimtare përmes ndryshimeve ligjore dhe nëse do të ketë dakordim me studentët dhe fakultetet juridike.

Back To Top