Bursat e MASH-it, vetëm 10 për qind për nxënësit shqiptarë!

Shkup, 21 nëntor – Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka publikuar rezultatet e konkursit për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme për vitin shkollor 2026/2027. Por, përtej numrit të bursave të ndara, vëmendje tërheq përfaqësimi i ulët i nxënësve shqiptarë në listat e fituesve.

Sipas të dhënave të përpunuara nga KOHA, nga gjithsej 828 bursa të evidentuara në gjashtë kategoritë e konkursit, vetëm 82 rezultojnë se u kanë takuar nxënësve shqiptarë, apo 10.04 për qind. Pjesa tjetër, mbi 730 bursa, u përket nxënësve maqedonas dhe me përkatësi tjetër etnike.

Dallimi më i theksuar vërehet në kategoritë e bursave për nxënësit e talentuar. Nga 150 bursa për nxënësit e talentuar në fusha të ndryshme, vetëm katër rezultojnë për nxënës shqiptarë, apo 2.67 për qind. Situatë e ngjashme paraqitet edhe në kategorinë e artit, ku nga 50 përfitues, vetëm një rezulton shqiptar, përkatësisht 2 për qind.

Në kategorinë e bursave për talentët sportiv, nga 150 nxënës të përzgjedhur, shtatë rezultojnë shqiptarë, që përbën 4.67 për qind.

Në kategorinë e bursave për nxënësit që ndjekin drejtime të caktuara profesionale, nga 300 përfitues, 40 rezultojnë shqiptarë, apo 13.33 për qind.

Ndërkohë, në arsimin profesional trevjeçar, nga 139 aplikime të pranuara, 28 rezultojnë të nxënësve shqiptarë, që përbën 20.14 për qind. Kjo është kategoria me përfaqësimin më të lartë të nxënësve shqiptarë, sipas të dhënave të analizuara. Në kategorinë e bursave për nxënësit pa prindër, nga 28 aplikime të pranuara, vetëm dy rezultojnë të nxënësve shqiptarë, apo 7.14 për qind.

Rezultatet e konkursit të sivjemë, njëjtë sikurse vitet e kaluara, hapin një debat më të gjerë për mundësitë e barabarta të nxënësve në përfitimin e mbështetjes financiare nga shteti.

Përqindja prej rreth 10 për qind ngre pyetje për përfaqësimin e nxënësve shqiptarë në skemat shtetërore të mbështetjes financiare, veçanërisht duke pasur parasysh se shqiptarët përbëjnë rrthe 29 për qind të popullsisë  sipas regjistrimit të vitit 2021.

Megjithatë, nuk dihet nëse interesimi ka qenë në nivel, ndërsa sqarime shtesë duhet të japë vet MASH-i, duke theksuar numrin e aplikimeve në secilën kategori veç e veç. (koha.mk)

Back To Top