Nuk është ditë feste kur duhet të mbrojmë gjuhën tonë! Të rinjtë në protestë para Kushtetueses!
Në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, të rinjtë e Forumit Rinor të BDI-së në Çair kanë dalë në protestë para Gjykatës Kushtetuese, duke ngritur zërin kundër asaj që e cilësojnë si sulme ndaj gjuhës shqipe.
Me mesazhin “Sot nuk kemi dalë për të festuar, kemi dalë për të protestuar”, të rinjtë kanë rikujtuar se 118 vjet pas Kongresit të Manastirit, shqiptarët sërish duhet të bashkohen për të mbrojtur gjuhën e tyre.
“Gjuha jonë nuk është privilegj, nuk është pengesë dhe nuk është dhuratë e askujt. Është identiteti ynë dhe e drejta jonë kushtetuese”, thuhet në mesazhin e tyre.
Nga protesta para Kushtetueses, ata përcollën një thirrje të qartë: “Mos e prekni gjuhën shqipe!”
