Debati që Mexhiti e refuzoi pesë herë – Bujar Osmani: Qytetarët e dinë kush ka guximin!
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka reaguar pas deklaratave të kundërshtarit të tij politik, duke sqaruar se përballja publike është refuzuar disa herë nga pala tjetër.
“Kundërshtari im pesë herë refuzoi të dalë në debat. Pesë herë iku nga përballja me mua. Vetëm pasi dola publikisht dhe thashë se ai po i ik qytetarëve, u frikësua nga reagimi dhe doli me një ftesë të vonuar në një televizion,” ka deklaruar Osmani.
Ai ka bërë të ditur se tashmë ka konfirmuar pjesëmarrjen në dy debate publike, një në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën maqedonase, të caktuara paraprakisht dhe në kohë.
“Ai e dinte këtë, prandaj tani po përpiqet të krijojë konfuzion, për të dalë sikur unë po e shmang. Në fakt, ai po përpiqet të keqpërdorë emrin e një televizioni si justifikim që të mos paraqitet në dy debatet që i presin. Kush ka guxim, del përballë. Kush ka frikë, fshihet pas kamerave dhe manipulimeve”, theksoi Osmani.
