Publicisti Lirim Mehmetaj ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë të Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, lidhur me Gjykatën Speciale dhe zhvillimet që priten në proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Mehmetaj ngre pyetjen se deri ku shtrihet roli i një ministri të një shteti tjetër në raport me vendimet e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
“Prej kur ministrat e shteteve të tjera vendosin se si duhet të sillet populli i shtetit tjetër me vendimet e gjykatave të veta?”, shprehet Mehmetaj në reagimin e tij.
Ai e konsideron veçanërisht problematike faktin që një zyrtar shtetëror nga Maqedonia e Veriut të komentojë një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sistemin e drejtësisë së Kosovës.
Në reagimin e tij, Mehmetaj e lidh qëndrimin e Shasivarit edhe me raportet politike mes forcave shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe Vetëvendosjes në Kosovë, duke ngritur dyshime për ndikime politike pas deklaratave të ministrit.
“Është kohë e maskarenjve”, ka shkruar Mehmetaj, duke e shoqëruar reagimin me kritika të ashpra ndaj Shasivarit dhe qëndrimeve të tij për Gjykatën Speciale.
Në fund, Mehmetaj shprehet se qëndrimet e sotme politike nuk do të jenë të përhershme dhe se, sipas tij, koha do të tregojë se kush ka mbajtur qëndrimin e duhur ndaj çështjeve që lidhen me luftën e UÇK-së dhe ish-krerët e saj.
