Gazetari Furkan Saliu ka reaguar me tone të ashpra ndaj funksionarëve të koalicionit VLEN, të cilët ditëve të fundit kanë kërkuar dorëheqjen e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Në një postim të tij, Saliu ka kritikuar ashpër politikanët që, sipas tij, i përkasin një shteti që ka ngecur në çdo aspekt – në integrime, marrëdhënie ndëretnike dhe ekonomi – ndërsa, në vend që të merren me punët e tyre, flasin për “reforma në opozitë”.
“Funksionarët e shtetit, i cili ka ngecur në çdo aspekt – në aspektin e integrimeve, në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike, në aspektin ekonomik – tërë ditën në rrjetet sociale flasin për ‘reforma në opozitë’. Shikoni punën tuaj, se na morët në qafë”, ka shkruar ai.
Saliu ka vijuar me tone ironike, duke thënë se “më tragjike është që funksionarët që janë ‘lluzera’ në ADN, që s’kanë fituar as kur kanë luajtur ‘llastik’ me shoqet në mahallë si fëmijë, kërkojnë dorëheqjen e një politikani që fiton prej 20 vitesh rresht.”
Në fund, gazetari ka theksuar se Çairi dhe Tetova janë “fajtorë” që u kanë rritur mendjen këtyre funksionarëve, duke përfunduar me një frazë të fortë:
“Po a e dini cila është ‘nema’ më e keqe e gjakovarëve? T’u rrit mendja.”
