Shkolla “Liria” anulon festimet e Nëntorit pas dy humbjeve të rënda në komunitet
Shkolla Fillore “Liria” në Komunën e Çashkës ka njoftuar anulimin e të gjitha aktiviteteve të planifikuara për festimet e muajit të Nëntorit, pas dy humbjeve të rënda që kanë goditur komunitetin shkollor.
Sipas njoftimit zyrtar, një mësimdhënës i shkollës ka ndërruar jetë papritur, ndërsa në të njëjtën periudhë ka humbur jetën edhe vëllai i një kolegu tjetër të stafit. Për këtë arsye, kolektivi i shkollës, në koordinim me kryetarin e Komunës së Çashkës, ka vendosur që këtë vit të mos mbahen programet dhe manifestimet tradicionale të Nëntorit.
Drejtoria e shkollës thekson se ky vendim është marrë në shenjë respekti dhe solidariteti me familjet e pikëlluara, duke theksuar se “heshtja dhe ndalja e këngës janë gjesti më i denjë për të nderuar kujtimin e të ndjerëve”.
Shkolla “Liria” ka falënderuar prindërit, nxënësit dhe të gjithë komunitetin për mirëkuptimin dhe mbështetjen në këtë periudhë të vështirë.
