Rreth 40 punonjës janë larguar nga puna në Spitalin Gjinekologjik dhe Akusherik në Çair, si pasojë e përplasjeve të brendshme politike brenda koalicionit VLEN.
Burime nga spitali bëjnë të ditur se largimet po ndodhin mbi baza partiake, ku punonjësit po trajtohen sipas përkatësisë politike dhe po kushtëzohen për shkak të afërsisë së supozuar me parti të caktuara si BESA, Lëvizja Demokratike apo Alternativa.
Këto veprime po ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin normal të institucionit shëndetësor, duke krijuar pasiguri te punonjësit dhe vështirësi në ofrimin e shërbimeve për pacientët.
Punonjësit e shëndetësisë kërkojnë që institucionet të mos përdoren si mjet për kalkulime politike dhe bëjnë thirrje për ripërtëritjen e menjëhershme të kontratave, në mënyrë që spitali të vazhdojë punën pa ndërprerje dhe pa presion politik.
