Skandal i dyfishtë: Dy shqiptarë takohen pa shqip – Qeveria dërgon dhurata diplomatike me Kosovën të fshirë nga harta!”

Dy shqiptarë ulen përballë njëri-tjetrit, ministri i Mjedisit Muhamet Hoxha dhe ambasadori i Kosovës – por Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendos ta publikojë takimin vetëm në maqedonisht. Asnjë fjalë në shqip. Asnjë respekt për gjuhën e njërit prej ministrave. Një mesazh i ftohtë dhe i qartë: shqipja po përjashtohet nga shteti.

Dhe ky nuk është një incident i izoluar. Para pak ditësh, Qeveria u dërgoi për festat fundvitore të gjitha përfaqësive diplomatike dhurata zyrtare, përfshirë edhe një fletore me hartë, ku Kosova nuk ekziston si shtet, por paraqitet si pjesë e Serbisë. Një gafë? Apo një sinjal politik i rrezikshëm?

Kur i bashkon këto dy ngjarje – fshirjen e shqipes nga komunikimi zyrtar dhe zhdukjen e Kosovës nga harta diplomatike – tabloja bëhet alarmante. Kjo nuk është më neglizhencë, por ndryshim i qëllimshëm i orientimit politik dhe simbolik të shtetit.

Qeveria që erdhi me premtime për barazi dhe partneritet po shfaqet gjithnjë e më shumë si një pushtet që relativizon identitetin shqiptar dhe minimizon Kosovën. Dhe kjo po ndodh në mënyrë të qetë, përmes postimeve, dhuratave dhe “detajeve protokollare” – derisa të bëhet realitet i përditshëm.

Në këtë qeverisje, duket se shqipja dhe Kosova janë bërë të padëshiruara. Dhe kjo është skandali më i madh.

Back To Top