Me nderim dhe përulje përkujtohet Masakra e Reçakut – plagë e pashëruar e historisë sonë kombëtare
Me nderim dhe përulje, sot shënohet përvjetori i Masakrës së Reçakut, një nga krimet më të rënda dhe më të dhimbshme në historinë kombëtare shqiptare. Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak, forcat serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë, vetëm pse ishin shqiptarë dhe kërkonin të jetonin të lirë në tokën e tyre.
Masakra e Reçakut u shndërrua në simbol të dhimbjes dhe të së vërtetës, një e vërtetë që nuk u fsheh dot. Ky krim tronditi ndërgjegjen botërore dhe dëshmoi qartë politikën shtetërore të dhunës së Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare. Faktet dhe dëshmitë për këtë masakër mbetën të gdhendura në historinë dhe drejtësinë ndërkombëtare, duke konfirmuar se krimet nuk parashkruhen dhe e vërteta nuk mund të mohohet, pavarësisht kohës që kalon.
Duke nderuar martirët e Reçakut, riafirmohet zotimi për të vërtetën, drejtësinë dhe paqen e qëndrueshme. Kujtimi i tyre na obligon të mos harrojmë kurrë, të mos heshtim kurrë dhe të punojmë për një të ardhme ku krime të tilla të mos përsëriten.
🕊️ I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të Reçakut! Lavdi!
