(DOKUMENTE) Mbi 4 milionë denarë për rreth 100 “kontraktorë” në Lotarinë Shtetërore – mes tyre profesorë, influencues, këngëtarë dhe partiakë!

Nga 35.000 deri në 60.000 denarë në muaj, Lotaria Shtetërore e Maqedonisë u paguan personave të jashtëm të angazhuar me kontrata autori ose kontrata për kryerje shërbimesh të caktuara.

Sipas dokumenteve që ka siguruar redaksia e Infomax, numri i këtyre personave është pak më i vogël se 100. Megjithatë, ende nuk ka informacione zyrtare nga Lotaria Shtetërore e Maqedonisë.

Në listat e dokumenteve shfaqen emra të njohur publikë, mes tyre:

  • Profesori i Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë”, Borçe Davitkovski
  • Këngëtarja Adelina Tahiri, e cila posedon edhe shtetësi shqiptare
  • Regjisori dhe aktivisti i njohur i VMRO-DPMNE-së, Boris Damovski
  • Influencuesi Kristijan Stankovski, i njohur si Bombakis
  • Ish-anëtari i Komisionit Juridik të VMRO-DPMNE-së, Gligor Çatmov

Një pjesë e madhe e këtyre personave janë të rinj rreth të njëzetave, ndërsa shumë prej tyre janë anëtarë dhe aktivistë të partive në pushtet.

Sipas dokumenteve, këta persona i kushtojnë Lotarisë Shtetërore mbi 4 milionë denarë çdo muaj.

Redaksia e Infomax ka dërguar pyetje zyrtare drejt Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë, duke kërkuar:

  • Sa persona të jashtëm janë të angazhuar me kontrata
  • Çfarë detyrash konkrete kryejnë
  • Sa janë të ardhurat mujore neto
  • Nëse ekzistojnë raporte për punën e tyre

Deri në këtë moment, nuk ka asnjë përgjigje zyrtare. Në rast se institucionet reagojnë, informacionet do të publikohen si plotësim i këtij lajmi.

Sipas ligjit, Lotaria Shtetërore – si çdo ndërmarrje shtetërore – është e obliguar që pagesat dhe të dhënat financiare t’i publikojë në sistemin “Open Finance”.
Megjithatë, nëse kërkohen këta persona në këtë sistem, nuk figuron asnjë e dhënë, çka ngre dyshime se dikush synon t’i mbajë këto pagesa të fshehta.

Lotaria Shtetërore e Maqedonisë është shoqëri aksionare në pronësi të shtetit, e themeluar për organizimin e lojërave të fatit dhe për kontribut të vazhdueshëm në buxhetin e shtetit për qëllime shoqërore.

5 gusht 2025, për drejtor të Lotarisë Shtetërore u emërua profesori i Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë”, Aleksandar Klimovski, ish-pjesë e ekipit të bashkëpunëtorëve profesionalë të Hristijan Mickoskit, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top