Filipçe “në kafe” te Ahmeti para takimit të liderëve te Mickoski

Front i gjerë opozitar për BE-në, ku do të përfshihej Ali Ahmeti dhe BDI-ja e tij. Këtë propozim liderit të integristëve, sipas informacioneve jozyrtare të TV 24 ia ka bërë lideri i opozitës Venko Filipçe gjatë një takimi në Reçicë të Vogël , një ditë para takimit të liderëve më 14 janar ku nikoqir ishte kryeministri Hristijan Mickoski ndërsa mungoi Filipçe

Sipas informacioneve, takimi është zhvilluar me kërkesë të Filipçes dhe ka ndodhur disa orë para se Këshilli i Përgjithshëm i BDI-së të vendoste që Ahmeti të marrë pjesë në takimin e liderëve me Mickoskin.

Nuk ka detaje nëse në ofertën e Filipçes ka pasur edhe kërkesë që Ahmeti t’i bashkohej bojkotit të takimit të liderëve.

Filipçe vetëm e ka konfirmuar takimin pa dhënë detaje.

“Takimi u mbajt, por nuk do të komentoj për detajet”, tha Filipçe.

Se lideri i opozitës, pas përçarjes me BDI-në gjatë zgjedhjeve lokale, ku Filipçe në disa komuna joformalisht e mbështeti koalicionin VLEN, përveç zgjedhjeve të përsëritura ku haptazi u rreshtua pas kandidatit të Arben Taravarit, i cili është pjesë e koalicionit të Ahmetit, po përpiqet t’i rregullojë marrëdhëniet me Reçicën e Vogël, për TV 24 e konfirmoi edhe një funksionar i lartë partiak i BDI-së. Ai konfirmon se Filipçe i ka ofruar bashkëpunim liderit të tij në një front pro-evropian.

“Para seancës së Këshillit të Përgjithshëm, kryetari Ali Ahmeti u takua me kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, me kërkesë të këtij të fundit. Në takim, Filipçe i ka ofruar Ahmetit bashkëpunim në një “front opozitar evropian”, tha funksionari i lartë i BDI-së.

Zyrtarisht nga BDI janë të përmbajtur, as nuk e konfirmojnë, as nuk e mohojnë.

I ashtuquajturi front opozitar evropian mes LSDM-së dhe BDI-së si ide ishte paralajmëruar edhe më herët nga paraardhësi i Filipçes, Dimitar Kovaçevski, para zgjedhjeve të vitit 2024.

Megjithatë, ideja dështoi pasi Ahmeti e refuzoi ofertën dhe vendosi të krijojë frontin e tij me partitë më të vogla shqiptare, të garojë me to në mënyrë të pavarur në zgjedhje dhe të ketë edhe kandidatin e vet për president të shtetit.

Back To Top