Me iniciativën e ambasadorit shqiptar Meidani, ujërat e Radikës bekohen për herë të parë në shqip dhe maqedonisht

Për herë të parë në thuajse një shekull, ujërat e Radikës u bekuan në gjuhën shqipe, si dhe në gjuhën maqedonase, duke shënuar një ngjarje me domethënie të thellë jo vetëm fetare, por edhe kulturore, historike dhe njerëzore.

Liturgjia e kënduar nga At Nikoll Kedhi, që jehoi përgjatë kreshtave dhe luginave të Rekës së Epërme, u përjetua si një thirrje simbolike për shtigjet e humbura dhe për bijtë e harruar të kësaj treve. Ishte një kujtesë e gjallë që nuk kërkonte leje nga koha, por i rikthente ndërgjegjes kolektive gurin, ujin dhe malet, si dëshmitarë të historisë dhe identitetit.

Ky bekim i ujërave nuk përshkoi vetëm rrjedhën e Radikës, por edhe kujtesën kolektive të komunitetit, duke shënuar një moment shndërrimi dhe hapjeje. Ai solli mesazhe të fuqishme për bashkimin, respektin dhe përjetësimin e vlerave shpirtërore dhe kulturore të trashëguara brez pas brezi. Në këtë akt simbolik, uji u shndërrua në një mjet shenjtërimi dhe lidhjeje, duke shkrirë kufijtë e kohës dhe duke përforcuar identitetin shpirtëror e kulturor të banorëve të zonës.

Ky moment i veçantë u bë i mundur falë iniciativës së ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, në bashkëpunim me peshkopin e Antaninskit, z. Partenij, të cilët kontribuuan drejtpërdrejt për realizimin e kësaj ngjarjeje historike.

Bekimi i ujërave të Radikës, në frymën e kësaj feste të shenjtë, përfaqëson një shembull të qartë dhe konkret të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare në Maqedoninë e Veriut, duke lënë një gjurmë të thellë te të gjithë ata që morën pjesë dhe që e ndoqën këtë ngjarje me emocion dhe respekt.

Back To Top