VLEN-i premtoi ndryshim dhe barazi, por solli dështim: mbi 50 pozita drejtuese në Regjistrin Qendror, ZERO për shqiptarët dhe komunitetet

Premtimet e VLEN-it për ndryshim, barazi dhe përfaqësim të drejtë po rezultojnë bosh, të paktën në një nga institucionet kyçe të shtetit – Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas të dhënave zyrtare dhe strukturës organizative të publikuar, në Regjistrin Qendror rezulton një situatë alarmante: mbi 50 pozita udhëheqëse, 3 sektorë, 21 njësi organizative dhe 27 zyra rajonale, por ZERO përfaqësim për shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët, egjiptianët dhe komunitetet tjera joshumicë.

Lista e personave në pozita drejtuese në qendër, nga drejtoria e deri te shefat e departamenteve dhe sektorëve, dëshmon një mbyllje totale etnike, duke e shndërruar këtë institucion në një bastion të diskriminimit institucional që zgjat më shumë se tri dekada. Edhe në nivel rajonal, skema organizative flet qartë: dhjetëra zyra në të gjithë vendin, por asnjë drejtues nga komunitetet joshumicë.

Kjo gjendje vjen në një kohë kur VLEN-i është në pushtet dhe kishte premtuar thyerjen e praktikave të vjetra, vendosjen e meritokracisë dhe barazisë reale. Në vend të ndryshimit të paralajmëruar, qytetarët po përballen me vazhdimësi të diskriminimit 35-vjeçar, pa asnjë hap konkret për korrigjimin e kësaj padrejtësie.

Për shumëkënd, ky rast po shihet si dëshmi e qartë e dështimit politik të VLEN-it përballë një sistemi të mbyllur, ku premtimet elektorale nuk janë shndërruar në veprime konkrete. Regjistri Qendror mbetet simbol i përjashtimit, ndërsa pyetja që shtrohet është e thjeshtë: a ishte ndryshimi vetëm slogan, apo VLEN-i vërtet nuk ka forcë ta zbatojë atë?

Back To Top