Në një moment që askush nuk e priste, kryeministri Hristijan Mickoski, në një takim me delegacionin shqiptar, ka lëshuar një deklaratë që po bën xhiron e korridoreve politike në Shkup. Pa kamera, pa konferencë shtypi, por me fjalë që peshojnë shumë, Mickoski ka pranuar se, pavarësisht dallimeve dhe qëndrimeve politike, reformat e realizuara nga BDI janë të një niveli që nuk është parë as në rajon, e as më gjerë.
Sipas burimeve nga takimi, Mickoski ka theksuar se nuk është çështje pëlqimi apo antipatie politike, por faktesh. Reformat sistemike e atij dimensioni janë vlerësuar si shembull që kalon kufijtë e Maqedonisë së Veriut. Një pranim i tillë, i ardhur nga kampi politik që ndër vite e ka kundërshtuar ashpër BDI-në, ka befasuar edhe vetë të pranishmit.
Kur edhe kundërshtarët më të zëshëm pranojnë se një subjekt politik ka prodhuar reforma të paprecedenta, atëherë realiteti politik flet vetë. Disa role nuk zëvendësohen lehtë, pavarësisht retorikës së fushatave apo përplasjeve publike. Dhe ndonjëherë, pranimi më i fortë vjen pikërisht atëherë kur askush nuk e pret.
