Shkruan: Rami Mislimi
Alternativa, partia që ka kaluar nga Afrim Gashi te Zeqirja Ibrahimi dhe së fundmi te Bekim Sali, pavarësisht ndërrimit të liderëve, ka arritur të mbetet forca me më së shumti pushtet brenda qeverisë VMRO–VLEN. Ndarja e “kolaçit” qeveritar brenda VLEN-it, siç duket, ka përfunduar në favor të Alternativës, në dëm të Lëvizjes BESA të Bilall Kasamit dhe Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit.
Alternativa mban postin më të lartë shtetëror – kryetarin e Kuvendit, ku në krye është Afrim Gashi. Ajo vazhdon me postin e zëvendëskryeministrit të parë, me ministrin për Eurointegrime, me Avokatin e Popullit, Avokatin e Shtetit, si dhe me një sërë zëvendësministrash, drejtorësh në institucione të fuqishme, deputetë dhe kryetarë të dy komunave.
Në anën tjetër, nëse Alternativa si parti vlerësohet në nivel nacional, ajo ka rreth 1.000–1.500 votues, por megjithatë gëzon më shumë pushtet sesa BESA dhe LD-ja së bashku.
Kjo ngre pyetjen legjitime:
A “ua nguli” Alternativa Bilallit dhe Izetit?
Rënia e Izet Mexhitit
Izet Mexhiti, dikur figurë kyçe e VLEN-it, ministër dhe zëvendëskryeministër, sot është reduktuar në një rol lokal, të fokusuar në kanalizime dhe ndërtime pa leje në Çair. Figura e tij politike po shuhet gradualisht, duke u rikthyer rreth 20 vite pas, në fillimet e tij si një emër anonim në Çair.
Sot, Mexhiti nuk përmendet si faktor shtetëror dhe po shkon drejt harresës politike, pavarësisht faktit se dikur u përball edhe me liderin më të fuqishëm shqiptar, Ali Ahmetin. Ai tashmë është nën hijen e Bekim Salit dhe Alternativës.
Nëse nuk ka zgjedhje së shpejti, Bekim Sali pritet të dominojë skenën politike shqiptare në nivel nacional, ndërsa Mexhiti rrezikon të mbetet vetëm një “sherif” lokal në rrugët e paasfaltuara të Çairit.
BESA – vota po, pushtet jo
Lëvizja BESA, e udhëhequr nga Bilall Kasami dhe e dirigjuar politikisht nga Adnan Azizi, sot konsiderohet motori kryesor i VLEN-it. Për disa vite, BESA arriti të fitojë pothuajse të gjithë Pollogun dhe disa komuna të rëndësishme, duke e mposhtur BDI-në në bastione tradicionale.
Megjithatë, në pushtetin qendror, BESA është pothuajse ZERO. Pavarësisht se ka më së shumti vota brenda VLEN-it, ajo ka vetëm një “gjysmë ministrie” – Besar Durmishin – pa fuqi reale dhe pa ingerenca të rëndësishme.
Si ndodhi kjo?
Si arriti Alternativa të ketë kaq shumë pushtet pa pasur vota, ndërsa BESA të ketë vota pa pushtet?
Kjo, sipas shumë vlerësimeve, është rezultat i mjeshtërisë politike të Afrim Gashit, i cili përmes marrëdhënieve me kryeministrin dhe duke qëndruar i heshtur në momente kyçe, arriti t’ua “ngulë” BESËS dhe LD-së.
Po nëse nesër ka zgjedhje?
Nëse pozicionet ndahen sipas marrëveshjeve politike, atëherë do të kemi një ndarje artificiale: katër parti me nga 20–25%, plus copëzime për parti më të vogla.
Por nëse ndarja do të bëhej sipas votës reale dhe fuqisë në popull, pa hile, raporti do të ishte:
Lëvizja BESA – 40% Lëvizja Demokratike – 30% Alternativa – 10% ASH – 10% Bekim Fazliu – 5% Bekim Qoku – 5%
Kjo do të ishte një ndarje “hakikat”, e drejtë dhe pa mashtrime.
Mund të mos pajtoheni, por realiteti duhet thënë.
