Dorëzohet propozim-ligj: Me patentë të kategorisë “B” të lejohet drejtimi i motoçikletave deri në 125 kubikë

Grupi parlamentar ka dorëzuar propozim-ndryshime në Ligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor, të mbështetura nga shumica parlamentare. Risi kryesore e këtij propozimi është mundësia që shoferët me patentë të kategorisë “B” të mund të drejtojnë motoçikleta të kategorisë “A1”, nën kushte të caktuara.

Sipas propozimit, drejtuesit do të kenë të drejtë të ngasin motoçikleta me transmision automatik deri në 125 kubikë dhe fuqi deri në 11 kW, nëse plotësojnë këto kritere:

Të kenë mbushur 23 vjeç Të kenë patentë të kategorisë “B” për së paku 5 vite Të ndjekin një trajnim të detyrueshëm teorik 4-orësh për sigurinë në komunikacion në auto-shkollë

Kjo e drejtë do të vlejë vetëm brenda territorit të Maqedonisë, në përputhje me rregulloret evropiane që lejojnë përjashtime të tilla në nivel kombëtar.

Propozim-ligji parashikon hyrje të shpejtë në fuqi pas miratimit. Auto-shkollat do të lëshojnë vërtetime për përfundimin e trajnimit dhe do të njoftojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministri përkatës duhet të përcaktojë përmbajtjen e trajnimit dhe formën e vërtetimit brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Qëllimi i kësaj nisme është të inkurajohen qytetarët që për nevojat e përditshme të përdorin më shumë motoçikleta në vend të veturave, duke kontribuar në uljen e trafikut në qytete, zvogëlimin e ndotjes së ajrit dhe lehtësimin e gjetjes së hapësirave për parkim.

Back To Top